Njoftim i rëndësishëm!

29.10.2021

Škoda, pjesë e promovimit të sigurisë rrugore në aktivitetin Klea Huta Academy Summercamp

Aksidentet rrugore kanë një ndikim serioz në jetën e fëmijëve. Ata janë shkaktari i humbjes së jetës së më shumë se 186,000 fëmijëve nën moshën 18 vjeç në mbarë botën. Një pjesë e madhe e aksidenteve përfshin fëmijë të cilët nuk e perceptojnë rrezikun e lëvizjes në rrugë. Në krahun tjetër, drejtues makinash që harrojnë përgjegjësinë që ata kanë për të mbrojtur qytetarët e tjerë që përdorin rrugën ashtu si dhe ata. Aksidentet fatale nuk janë thjesht një numër statistikor. Secili prej tyre fsheh tragjedi të jetuara nga familjarët, të afërmit dhe komuniteti dhe kur këto aksidente përfshijnë fëmijët, përmasat e tragjedisë shumëfishohen.

Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve e vitit 1989 kërkon që çdo fëmijë duhet të gëzoje mbrojtjen dhe përkujdesjen e nevojshëm për mirëqenien e saj ose të tij. Një mënyrë e rëndësishme për të përmbushur këto detyrime është dhe adresimi i epidemisë së aksidenteve rrugore që vrasin fëmijë çdo ditë me forma ndërgjegjësimi.

Me këtë objektiv në pikënisje, Klea Huta dhe KHA Summercamp organizoi në ambientet e kampit veror në Mullet një aktivitet argëtues dhe ndërgjegjësues me fëmijët e sezonit të parë të kampit veror. Pjesëmarrësit ishin fëmijë të moshave të ndryshme që frekuentojnë kampin dhe aktivitetet që organizohen në të.  Në ambientet e kinoteatrit të kampit fëmijët të grupuar sipas moshave morën pjesë në lojërat, diskutimet dhe aktivitet e organizuara nga kompani dhe organizata të ndryshme që prej vitesh promovojnë sigurinë rrugore dhe mbrojtjen e jetës në rrugë si DPSHTRR, Škoda dhe Kryqi i Kuq Shqiptar.

Përfaqësuesit e DPSHTRR folën për respektimin e sinjalistikës rrugore duke simuluar situata të ndryshme me vijat ndarëse dhe semaforët ku fëmijët dilnin vullnetarë për të treguar se si duhej vepruar për të zgjidhur situata të ndryshme. Me ndihmën e Kryqit të Kuq Shqiptar dhe materialeve të tyre demonstruese fëmijët mësuan disa elemente të ndihmës së parë që ju jepet të aksidentuarëve në vendngjarje dhe që mund të shpëtojnë jetë. Interesi i fëmijëve ishte tepër i lartë dhe pasohej me pyetje të shumta të nxitura nga situata të jetuara prej tyre apo nga ato që kanë parë në ekranet e televizorëve.